01.06.2023
Ministri Nenad Rashiq, mori pjesë sot në aktin simbolik të vënies së gur themelit për fillimin e ndërtimit të tri shtëpive të reja në fshatrat Dobrotin, Gushtericë e poshtme dhe Sushicë të Komunës së Graqanicës. Shtëpitë e ndërtuara janë në kuadër të thirrjes publike të ministrisë, pas rezultateve të procesit të aplikimit, për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive për pjesëtaret e komuniteteve jo shumicë.
Projekti ka për qëllim të përmirësojë kushtet jetësore të banorëve të kësaj zone të Kosovës.
Në ceremoninë e organizuar, Ministri Rashiq shprehu gëzimin dhe angazhimin e tij për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të ndihmuar komunitetin lokal të këtyre fshatrave.
Ai theksoi se kjo iniciativë është pjesë e strategjisë së qeverisë për të adresuar nevojat urgjente të banorëve në zonat rurale.
Shtëpitë e reja të Valentina Parliqit në Dobrotin, Snezhana Grbiqit në Gushtericën e poshtme si dhe Suzana Maksimoviqit në fshatin Sushic, do të ofrojnë kushte të reja dhe moderne për familjet e prekura nga kushtet e vështira të banimit. Ato tani do të kenë akses në shtëpi të përshtatshme dhe të sigurta, me mjedise të rehatshme për të jetuar.
Ministri Rashiq theksoi se Ministria për Komunitete dhe Kthim do të angazhohet edhe më tutje që rajoneve rurale tua përmirësojë mirëqenien dhe nivelin e jetesës. Ai u shpreh i përkushtuar që të vazhdoi edhe më tutje në ndërtimin e shtëpive të reja dhe të sigurta nëpër komunat e vendit, për të ofruar mbështetje të vazhdueshme komuniteteve lokale.
Në përfundim të ceremonisë, Ministri Rashiq falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në këtë ceremoni duke uruar mbarëvajtje të suksesshme punimeve të filluara, me besimin se kjo iniciativë do të jetë një mundësi e mirë për të siguruar strehim të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë.