Në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim sot janë nënshkruar 43 memorandume bashkëpunimi me organizata joqeveritare, me çka u theksua edhe një herë roli kyç i sektorit civil në ndërlidhjen e qytetarëve dhe institucioneve.
Ky bashkëpunim tregon se sa partner i rëndësishëm janë organizatat joqeveritare për institucionet, pasi pikërisht përmes punës së tyre nevojat e qytetarëve arrijnë më shpejt dhe më qartë te vendimmarrësit. Përmes projekteve të përbashkëta, organizatat dhe ministria punojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës, zhvillimin e komuniteteve lokale dhe krijimin e kushteve më të mira për progres ekonomik.
Ministri Nenad Rashiq theksoi se pa pjesëmarrjen aktive të sektorit joqeveritar nuk ka as politika efikase që u përgjigjen nevojave reale të njerëzve. Ai nënvizoi se pikërisht partneritete të tilla mundësojnë që zëri i komuniteteve të dëgjohet dhe të përkthehet në masa dhe projekte konkrete.
„Organizatat joqeveritare janë urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve. Roli i tyre është i një rëndësie thelbësore për ndërtimin e besimit, transparencës dhe punës së përbashkët në interes të të gjithë qytetarëve“, ka theksuar Rashiq.
Përfaqësuesit e organizatave vlerësuan se memorandumet e nënshkruara përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit me institucionet, por edhe një mundësi që përmes aktiviteteve konkrete të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve me të cilat qytetarët ballafaqohen çdo ditë.
Kjo iniciativë konfirmon se përmes bashkëpunimit të sektorit civil dhe atij publik mund të arrihet zhvillim i qëndrueshëm, përfshirje më e madhe sociale dhe perfitim afatgjatë për mbarë shoqërinë.