26.09.2023
Ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, priti sot në takim Znj.Sonia Sirtori, shefe e Sekretariatit të Komisionit për Çështje Politike dhe Demokratike dhe Z.Frank Power, shef i Zyrës për Këshillin e Evropës në Prishtinë së bashku me një delegacion të Strasburgut. Takim i zhvilluar ishte i një rëndësie të veçantë pasi që u diskutua për përmirësimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Evropës, duke pasur parasysh procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. U bisedua për vazhdimin e angazhimit të dy palëve për të krijuar një marrëdhënie të fortë dhe të ndërgjegjshme. Ministri Rashiq shprehu zotimin e tij në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të nevojshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së përpjekjeve për të përmbushur këto standarde, të cilat përfshijnë respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe zhvillimin e institucioneve demokratike. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Zyrës së Këshillit të Evropës kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën në rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme. Ata vlerësuan përpjekjet e deritanishme të Kosovës për të përmbushur kriteret e nevojshme dhe premtuan asistencën dhe këshillën e tyre për të arritur sukses në këtë proces të rëndësishëm. Ky takim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Këshillit të Evropës. Ky organ ndërkombëtar është një ndër partnerët kryesorë të Kosovës në përpjekjet për të forcuar vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në vend. Në këtë kontekst, takimi ka pasur rëndësi të veçantë për të siguruar mbështetjen dhe orientimin e duhur për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.