Faza e parë e skemës së granteve ne vlerë prej 7.5 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë dhe ndërmarrjes në Kosovë

Nga 16 shtatori deri më 1 nëntor 2025, do të hapet faza e parë (Loti 1) e zbatimit të skemës së granteve të destinuara për anëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë. Kjo skemë për zhvillimin e bujqësisë dhe ndërmarrjes rurale zbatohet në partneritet me Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit dhe organizatën gjermane GIZ, me bashkëfinancim nga Qeveria Gjermane, me një fond total prej 7.5 milionë eurosh.

Programi synon të mbështesë prodhuesit e vegjël, start-up dhe mikro-ndërmarrjet në zonat rurale, përmes granteve për pajisje në shumën prej 1,000 deri në 10,000 euro për përfituesit. Personat fizikë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, start-up dhe fermerët nga komunitetet jo-shumicë kanë të drejtë të aplikojnë.

Projektet që do të mbështeten duhet të jenë të orientuara drejt fitimit dhe të zbatohen në zonat rurale, gjë që synon të stimulojë zhvillimin ekonomik dhe të përmirësojë jetën në këto komunitete.

Ministri theksoi se kjo skemë grantesh është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të komuniteteve jo-shumicë dhe se Ministria do të ofrojë mbështetje të plotë për të gjithë përfituesit në zbatimin e projekteve të tyre.

Aplikimet do të dorëzohen përmes platformës online "Good Grants". Më shumë informacione do të gjeni në faqet zyrtare të Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit dhe GIZ, si dhe në sesionet e ardhshme informuese për përfituesit potencialë.

Ky program paraqet kontribut të rëndësishëm në fuqizimin e ndërmarrjes rurale dhe mbështetjen e zhvillimit të bujqësisë midis komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.