Ministria për Komunitete dhe Kthim vazhdoi të ofrojë mbështetje për familjet që merren me bujqësi dhe këtë herë donacionet u shpërndanë përfituesve në komunën e Novobërdës .
Në emër të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, udhëheqësi i kabinetit të ministrit, Igor Rašić, i dorëzoi donacionet familjeve Kostić dhe Marković. Përfituesve të programit iu dha një tharëse për bimë medicinale dhe një mbjellëse gruri, pajisje që do të kontribuojnë në përmirësimin e prodhimit të tyre dhe krijimin e kushteve më të mira të punës.
Donacioni u realizua nga fondi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ndërsa zbatimi teknik i projektit u krye nga GIZ dhe Shoqata Humanitare "Nëna Terezë", me qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe qëndrueshmërinë e fermave familjare.
Me këtë rast, Igor Rašić theksoi se Ministria mbetet e përkushtuar për mbështetje të barabartë për të gjitha komunitetet dhe familjet që duan të qëndrojnë, të punojnë dhe të zhvillojnë komunitetet e tyre.
"Mbështetja e fermerëve përfaqëson një investim në mbijetesën, zhvillimin dhe të ardhmen më të sigurt të familjeve tona. Ne do të vazhdojmë të jemi partner për njerëzit që kontribuojnë në forcimin e komuniteteve lokale me punën e tyre, pavarësisht nga komuna në të cilën jetojnë", tha Rašić.
Familjet Kostić dhe Marković falënderuan për mbështetjen, duke theksuar se pajisjet e marra do ta përmirësojnë ndjeshëm punën e tyre dhe do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit.
Ministria për Komunitete dhe Kthim do të vazhdojë të zbatojë programe që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të familjeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të gjitha komuniteteve në Kosovë.