Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka pritur në zyrën e tij ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves, ku kanë biseduar për situatën aktuale në Kosovë, statusin e komunitetit serb, si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.
Gjatë takimit, ambasadori shprehu interesim për situatën dhe sfidat me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë, si dhe për përpjekjet e Ministrisë për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për të kontribuar në stabilitet dhe pajtim. Ministri Rashiq e njoftoi ambasadorin për planet dhe masat që Ministria ndërmerr për përmirësimin e pozitës së serbëve dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë, si dhe për përgatitjet për zgjedhjet, të cilat konsiderohen vendimtare për zhvillimin e mëtutjeshëm politik.
U diskutua edhe për rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare në këtë fazë delikate, ndërsa ambasadori përsëriti vendosmërinë e Britanisë së Madhe për të mbështetur procesin e demokratizimit dhe integrimit, me theks të veçantë në ruajtjen e të drejtave të minoriteteve dhe forcimin e besimit reciprok.
Ministri Rashiq shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Britania i jep Kosovës, dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në procesin e ndërtimit të një shoqërie stabile dhe gjithëpërfshirëse.