Ministri i Komuniteteve dhe Kthimit, Nenad Rašić, priti në zyrën e tij Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare, Ambasadorin Christophe Kamp.Gjatë takimit, ata diskutuan përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe mbështetjen e mëtejshme për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë, me një fokus të veçantë në përmirësimin e pozicionit të tyre dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes institucionale. Vëmendje e veçantë iu kushtua Strategjisë së Ministrisë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve Jo-shumicë, duke theksuar rëndësinë e zbatimit efektiv të saj dhe mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi kornizën legjislative, përfshirë Ligjin për të Huajt, si dhe mbi politikat që lidhen me personat e zhvendosur, kthimin e tyre të qëndrueshëm dhe riintegrimin në shoqëri. U theksua nevoja për të forcuar koordinimin midis institucioneve dhe për të përmirësuar më tej bashkëpunimin me qëllim të sigurimit të zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme.
Ministri Rašić falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi vendosmërinë e Ministrisë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë me qëllim avansimin e të drejtave dhe integrimin e plotë të komuniteteve jo-shumicë.