Ministria për Komunitete dhe Kthim ka mirëpritur sot shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Gerard McGurk, i cili u takua për herë të parë me ministrin Nenad Rashiq. Takimi kishte karakter njohës dhe u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe bashkëpunuese.
Gjatë diskutimit u trajtuan temat kryesore që kanë të bëjnë me sfidat me të cilat përballen komunitetet joshumicë në Kosovë, si dhe situata e të kthyerve. Ministri Rashiq e informoi ambasadorin për aktivitetet aktuale të ministrisë dhe sfidat në vazhdimësi për krijimin e kushteve të qëndrueshme për kthim dhe për integrimin e suksesshëm të komuniteteve në jetën shoqërore dhe institucionale të vendit.
Ambasadori McGurk shprehu entuziazëm të madh për fillimin e mandatit të tij në Kosovë dhe theksoi përkushtimin e OSBE-së për të mbështetur Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në të gjitha fushat e punës së saj, përfshirë përfaqësimin e drejtë të komuniteteve joshumicë në administratën publike dhe mbështetjen e kthimit në zonat urbane. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm, me fokus të veçantë në përmirësimin e kushteve për të kthyerit dhe ndërtimin e një mjedisi gjithëpërfshirës për të gjitha komunitetet.
Të dy palët u pajtuan për nevojën e vazhdimit të një dialogu të hapur dhe bashkëpunues për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Ministri Rashiq falënderoi Ambasadorin McGurk për gatishmërinë dhe përkushtimin e tij, duke shprehur besimin se bashkëpunimi me OSBE-në do të jetë i frytshëm dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe mbështetjen e kthimeve të qëndrueshme.