Takimi mes Ministrit për Komunitete, Z. Rasic, dhe përfaqësuesve të Ambasadës Gjermane dhe GIZ, përfshirë Z. Daniel Alker, Shefi i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, dhe Z. David Oberhuber, drejtor i GIZ Kosova dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ishte një hap i rëndësishëm drejt nënshkrimit të projektit "Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve." Ky projekt ka për qëllim të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për komunitetet, me një fokus të veçantë në gra dhe të rinj, sidomos nga komuniteti serb.
Projekti do të zbatohet për një periudhë trevjeçare dhe do të përqendrohet në rritjen e aksesit në burime dhe diversifikimin e aktiviteteve bujqësore. Kjo do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale në zonat rurale dhe edukimin praktik të të rinjve për tregun e punës. Ky projekt do të ketë vlerën prej 4 milion eurove, ku Ministria për Komunitete dhe Kthim është zotuar për 2 milion dhe Qeveria Gjermane nëpërmjet GIZ po ashtu 2 milion. Zbatimi i këtij projekti nis në vitin 2025, dhe shumë shpejt do të kemi edhe nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte organizimi i sesioneve informative dhe trajnimeve për të siguruar që të gjithë përfituesit e mundshëm të jenë të informuar dhe të përgatitur. Kjo do të ndihmojë në promovimin e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të përgjegjshëm në sektorin e bujqësisë.
Ministria është e angazhuar për të punuar ngushtë me GIZ Kosova, si dhe të gjitha palët e interesuara për të arritur suksesin e këtij projekti, i cili përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të komuniteteve.