MINISTRI PËR KOMUNITETE DHE KTHIM, NENAD RASHIQ, NËNSHKROI SOT 59 KONTRATA PËR FINANCIMIN E PROJEKTEVE TË PUNËSIMIT PËR PERSONAT NGA KOMUNITETET JO SHUMICË

16.09.2024

Sot, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Ministri Nenad Rashiq, nënshkroi 59 kontrata për financimin e projekteve të ndryshme që kanë për qëllim rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve jo shumicë në Kosovë. Këto projekte janë pjesë e skemës së mbështetjes së punësimit të personave nga komunitetet jo shumicë, që janë përfshirë në Programin për zhvillimin ekonomik, e cila është ndërmarrë për të përkrahur rritjen e bizneseve ekzistuese dhe krijimin e bizneseve të reja. Shuma e përgjithshme e projektit është 400 mijë euro dhe synon të përmirësojë mundësitë ekonomike për komunitetet jo shumicë, duke krijuar vende të reja pune dhe duke fuqizuar aftësitë profesionale dhe kapacitetet e këtyre komuniteteve për të qenë pjesë integrale e zhvillimit ekonomik të vendit.

Projekti është ndarë në dy kategori kryesore të financimit: Loti I dhe Loti II. Këto kategori përfaqësojnë lloje të ndryshme të mbështetjes dhe investimeve në sektorë të caktuar të ekonomisë.

Loti I përfshin mbështetjen për krijimin e bizneseve të reja në komunitetet jo shumicë. Ky investim është i fokusuar në promovimin e sipërmarrjes së re dhe inovacionit në këto komunitete, duke ofruar mundësi për individët dhe grupet që dëshirojnë të themelojnë biznese të reja.

Loti II fokusohet në mbështetjen e bizneseve ekzistuese që operojnë në komunitetet jo shumicë. Ky lot synon të përmirësojë kapacitetet e këtyre bizneseve duke u ofruar atyre mjete dhe burime për zgjerim, përmirësimin e teknologjisë, dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe produkteve.

Gjatë ceremonisë Ministri Rashiq shprehu optimizëm për rezultatet e kësaj skeme dhe nënvizoi se mbështetja e Ministrisë për komunitetet jo shumicë do të vazhdojë të jetë një prioritet. Ai gjithashtu theksoi se MKK do të mirëmbajë një bazë të dhënash për punën dhe përparimin e të gjithë përfituesve. Projektet e suksesshme që përmbushin të gjitha planet e tyre do të kenë mundësinë të aplikojnë çdo dy vjet për zgjerimin e biznesit të tyre nëse kanë nevojë për më shumë mbështetje,” shtoi ai.