MINISTRI PËR KOMUNITETE DHE KTHIM, NENAD RASHIQ, INAUGURON NDËRTIMIN E 4 SHTËPIVE NË DRAGASH NË KUADËR TË PROJEKTIT RRK VI

18.09.2024

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i shoqëruar nga përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), zëvendësministri i Bujqësisë dhe përfaqësues nga Komuna e Dragashit, mori pjesë në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të katër shtëpive të reja për familje të kthyera në komunën e Dragashit. Ky projekt është pjesë e skemës së projektit RRK VI, një partneritet afatgjatë ndërmjet Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, IOM-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Ky projekt synon të ndihmojë kthimin dhe riintegrimin e familjeve që kanë përjetuar zhvendosje për shkak të konflikteve dhe vështirësive socio-ekonomike.

Familjet që do të përfitojnë nga ndërtimi i shtëpive të reja janë familja e Nagip Ibrahimit, Fitmije Bislimit, Kamir Rexhiqit, dhe familja e Emina Vehapit. Për këto familje, projekti përfaqëson një mundësi për të filluar një jetë të re në kushte më të sigurta dhe të qëndrueshme, pas shumë vitesh të jetuara në vështirësi të mëdha.

Familja e Nagip Ibrahimit është një familje katëranëtarëshe e cila, për më shumë se një dekadë, ishte zhvendosur në Novi Pazar pas luftës së vitit 1999. Pas kthimit në Kosovë në vitin 2014, ata u vendosën në shtëpinë e të vëllait të Nagipit, pasi shtëpia e tyre ishte shkatërruar plotësisht gjatë luftës. Nagipi është me aftësi të kufizuara dhe jeton me ndihmë sociale, duke mos pasur mundësi financiare për të rindërtuar shtëpinë e tij. Për këtë familje, ndërtimi i shtëpisë së re prej 62 metra katror nënkupton një hap të madh drejt një jete më të qëndrueshme dhe më të pavarur.

Fitmije Bislimi, me origjinë nga fshati Krstac, u zhvendos në Beograd pas konfliktit të vitit 1999, ku jetoi deri në vitin 2009. Mungesa e punësimit dhe kushtet e papërshtatshme të strehimit në Beograd e shtynë atë të kthehej në fshatin e saj të lindjes. Ajo është përfituese e një shtëpie të re me sipërfaqe prej 45 metrash katrorë. Për Fitmijen, ky ndërtim përfaqëson një fillim të ri pas shumë viteve të jetës në kushte të vështira.

Kamir Rexhepi nga fshati Radesh ka jetuar me familjen e tij gjashtëanëtarëshe në Beograd deri në vitin 2012. Për shkak të shkatërrimit të plotë të shtëpisë së tyre gjatë konfliktit ata kanë jetuar me qira, në pamundësi për të rindërtuar shtëpinë e shkatërruar. Projekti RRK VI do t’i ofrojë atij dhe familjes së tij një shtëpi të re me sipërfaqe prej 75 metrash katrorë. Kamiri dhe familja e tij presin me padurim përfundimin e ndërtimit, që do t’u japë mundësinë të rikthehen përfundimisht në vendlindje.

Familja katëranëtarëshe e Emina Vehapit, nga fshati Zlipotok, është përfituese e një shtëpie me sipërfaqe prej 62 metrash katrorë. Pas kthimit nga Serbia në vitin 2012, familja e saj ka jetuar në shtëpinë e kunatit, pasi shtëpia e tyre ishte shkatërruar plotësisht gjatë periudhës së luftës. Emina dhe familja e saj kanë përjetuar vite të vështira, duke u përballur me mungesë të strehimit dhe mbështetjes. Tani, falë këtij projekti, ata do të kenë mundësinë të jetojnë në një shtëpi të re dhe të sigurt.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, ministri Nenad Rashiq, theksoi rëndësinë e këtij projekti dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mbështetur kthimin dhe riintegrimin e personave të zhvendosur. Sipas tij, ndërtimi i këtyre shtëpive është vetëm një pjesë e punës së bërë për t’i ndihmuar këta persona të kthehen dhe të kenë një jetë të qëndrueshme në vendlindjet e tyre. Pas përfundimit të ndërtimit të këtyre shtëpive tha se duhet të mendohet për hapat e ardhshëm, duke përfshirë përfshirjen e të kthyerve në jetën sociale dhe ekonomike të vendit. Për të qenë të kthyer të suksesshëm, këta individë duhet të kenë mundësi për punësim dhe përfshirje të plotë në shoqëri. Ai theksoi se projektet për zhvillim ekonomik do të vazhdojnë dhe i ftoi të gjitha komunitetet që të përgjigjen pozitivisht thirrjes për t’u përfshirë në këto projekte. Kjo është një mundësi jo vetëm për të siguruar strehim, por edhe për të krijuar kushte që familjet të jenë të pavarura dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit të tyre.

Projekti RRK VI është një nga nismat më të rëndësishme në mbështetjen e familjeve të zhvendosura në Kosovë, duke ofruar jo vetëm strehim të sigurt por edhe pako të harmonizuara të ndihmës me ushqime, artikuj ushqimor, dru zjarri, mobilje, si dhe si paketa gjenerimi të të ardhurave. Ndërtimi i këtyre katër shtëpive në komunën e Dragashit është një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së këtyre qëllimeve.