14.03.2024
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka pritur në një takim zyrtar Ambasadorin Marek Szczygiel, drejtor i zyrës së Komisionarit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare. Takimi ka qenë një rast për të shqyrtuar përparimet dhe sfidat që komunitetet përballen në Kosovë, si dhe për të shqyrtuar veprimet dhe planet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për të adresuar këto çështje.
Në këtë takim, Ministri Rashiq ka prezantuar për ambasadorin Szczygiel arritjet dhe veprimet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim gjatë kohës së udhëheqjes së tij. U vlerësua puna e kryer deri më tani dhe u diskutua mbi prioritetet për të ardhmen, duke përfshirë thirrjet publike për ofrimin e ndihmave për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, projektet dhe subvencionet aktuale, si dhe Strategjinë për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Interesave të Komuniteteve.
Në këtë kontekst, u bisedua edhe për rëndësinë e dinarit, për pjesëmarrjen e komuniteteve në proceset vendimmarrëse si dhe për nevojën për të siguruar që të gjitha komunitetet të kenë një zë të barabartë dhe të ndjehen të përfaqësuara në institucionet publike.
Temë tjetër e bisedës ishte çështja e kthimit dhe verifikimit të diplomave në Kosovë. Ministri Rashiq dhe Ambasadori Szczygiel diskutuan mbi rëndësinë e sigurisë së procesit të verifikimit të diplomave dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në këtë çështje për të siguruar standarde të larta dhe integritet në arsimin e Kosovës.
Ambasadori Szczygiel shprehu gatishmërinë e OSBE-së për të mbështetur Ministrin Rashiq dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në përpjekjet e tyre për të adresuar këto sfida të rëndësishme për komunitetet në Kosovë.