MINISTRI NENAD RASHIQ PREZANTON "STRATEGJINË PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE DHE INTERESAVE TË KOMUNITETEVE NË KOSOVË" PARA PËRFAQËSUESVE TË VENDEVE TË QUINTIT

03 nëntor 2023

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, para përfaqësuesve të vendeve të Quintit prezantoi një dokument të rëndësishëm, "Strategjia për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Interesave të Komuniteteve dhe Anëtarëve të tyre", me synimin e sigurimit të kthimit të qëndrueshëm, zhvillimit ekonomik afatgjatë dhe përfaqësimit proporcional të komuniteteve në administratën publike të Kosovës.

Në këtë takim, Ministri Rashiq dhe përfaqësuesit e vendeve të Quintit diskutuan hollësisht për temat e kthimit, riintegrimit, si dhe përkujdesjen ndaj personave të zhvendosur dhe të kthyerve vullnetarë që nuk i përkasin shumicës, duke synuar ofrimin e mundësive për vendbanime të qëndrueshme. Ministri Rashiq theksoi se  Strategjia përfshin sfida të rëndësishme si stabilizimi dhe përmirësimi i mirëqenies së komuniteteve përmes ofrimit të mundësive të barabarta në punësim, shërbime sociale, arsim dhe kulturë. Po ashtu, një prej qëllimeve të strategjisë është edhe përfaqësimi proporcional i komuniteteve pakicë në administratën publike si dhe zhvillimi i mekanizmave për përdorimin e gjuhëve.

Strategjia është ndërtuar mbi tre parime kryesore të harmonizuara me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për pakicat kombëtare: parimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjitha komunitetet, parimi i mos diskriminimit duke u përpjekur që shkalla e diskriminimit të zvogëlohet në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, si dhe parimi i promovimit të drejtave të komuniteteve pakicë për të ruajtur identitetin e tyre kulturor dhe trashëgiminë.

Ministri Rashiq shpalosi se "Strategjia për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Anëtarëve të tyre" për periudhën 2023-2027 paraqet një vazhdimësi të politikave të qeverisë së Kosovës për forcimin e karakterit multietnik dhe multikulturor të shoqërisë së saj. Ky dokument është pjesë e nismave për të siguruar të drejtat dhe përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve në Kosovë për një shoqëri më të drejtë dhe të harmonishme. Ministri Rashiq u shpreh se kjo strategji është një hap i rëndësishëm për të promovuar integrimin dhe përmirësimin e kushteve jetësore për të gjitha komunitetet në Kosovë.