12.07.2023
Me keqardhje konstatojmë se një vepër kriminale është kryer herët në mëngjesin e së dielës nga autorë të panjohur në fshatin Veriq - Komuna e Istogut, të cilët i kanë vënë zjarrin dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm të madh material familjes së të kthyerve, që sipas orarit është paraparë të kthehen në shtëpitë e tyre në javët në vijim.
Të organizuar mirë dhe me qëllim të dukshëm, kanë ndezur zjarrin që ka shkatërruar plotësisht brendësin e shtëpisë.
Kërkojmë nga policia dhe të gjitha institucionet përkatëse që të zbulojnë sa më parë autorët e këtij akti, ndërsa Ministria për Komunitete dhe Kthim ka marrë masa për rindërtimin dhe restaurimin e shtëpisë së dëmtuar, që nga e hëna pak orë pas kryerjes së aktit.
Politika e Qeverisë dhe Ministrisë së Kthimit dhe Komunitetit ka qenë gjithmonë dhe do të jetë, që institucioni të sigurojë një kthim të qëndrueshëm për çdo qytetar që ka jetuar në Kosovë dhe dëshiron të kthehet.