03.06.2023
Sot, në një ceremoni të veçantë, Ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Z. Nenad Rashiq, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, së bashku morën pjesë në vendosjen e gurthemelit të shtëpisë për familjen 11 anëtarëshe të Sherif Alijajt, nga komuniteti goran, në fshatin Muhoc të Komunës së Ferizajt. Familja Alijajt është përfituese pas thirrjes publike dhe rezultateve të procesit të aplikimit, për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive. Ky projekt i rëndësishëm vjen në kuadër të përkushtimit të ministrisë për të siguruar kushte më të mira jetese për komunitetin lokal.
Ministri Rashiq dhe Kryeministri Kurti, së bashku me anëtarë të tjerë të qeverisë dhe përfaqësues lokalë, zhvilluan simbolikisht ceremoninë e vënies së gurit themelit për fillimin e ndërtimit të shtëpisë së re për familjen Alijaj, ngjarje kjo që solli gëzim dhe emocion për të gjithë pranishmit, si dhe tregoi përkushtimin e qeverisë dhe ministrisë për të ndihmuar ata që kanë nevojë për mbështetje në krijimin e kushteve të reja të jetës.
Ministri Rashiq në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij projekti për të përmirësuar jetën e komunitetit dhe sigurimin e një shtëpie të re dhe të qëndrueshme për familjen Alijaj. Ai gjithashtu vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme të ministrisë për të adresuar nevojat e komuniteteve të ndryshme dhe për të promovuar bashkëjetesën dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për Ministrin Rashiq dhe ekipin e tij për përkushtimin dhe punën e palodhshme në këtë projekt. Ai gjithashtu theksoi se qeveria së bashku me ministrinë do të vazhdojnë të ndërtojnë shtëpi të reja dhe të përmirësojnë infrastrukturën në të gjithë vendin, duke i dhënë prioritet komuniteteve të varfra dhe të prekura.