13.09.2024
Sot, Ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, z. Nenad Rashiq, priti për një vizitë pune Ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Avio Orav, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ky takim kishte për qëllim njohjen më të mirë midis të dyja palëve dhe shërbeu si pikënisje për bashkëpunime të mundshme në të ardhmen, me fokus të veçantë në çështjet që lidhen me mandatin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Gjatë takimit, Ministri Rashiq e informoi Ambasadorin Orav për aktivitetet dhe iniciativat që Ministria e tij ka ndërmarrë deri më tani. Ai theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë në drejtim të përmirësimit të kushteve për komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë kthimin e personave të zhvendosur, integrimin e tyre të suksesshëm në shoqëri dhe sigurimin e të drejtave të tyre. Pjesë e rëndësishme e diskutimit gjatë takimit ishte strategjia e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për periudhën e ardhshme. Ministri Rashiq prezantoi një pasqyrë të gjerë të planeve strategjike të Ministrisë, të cilat përfshijnë përmirësimin e politikave për kthimin e të zhvendosurve, si dhe krijimin e mekanizmave të rinj për mbështetjen e tyre. Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve ishte situata politike në Kosovë dhe ndikimi që kjo situatë ka në procesin e kthimit dhe integrimit të komuniteteve. Ministri Rashiq po ashtu potencoi nevojën urgjente për heqjen e masave të cilat fatkeqësisht më së shumti po ndikojnë në jetën e qytetarëve të pakicave pasi që MKK ka dy projekte ( RRK-CSP ) që janë esencialisht më të rëndësishme dhe të cilat po bashkë financohen me EU-në dhe janë të rëndësisë së madhe që të vazhdohen.
Megjithatë, ai shprehu optimizëm për të ardhmen dhe theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi me aktorët ndërkombëtarë janë çelësi për zgjidhjen e këtyre sfidave.
Në anën tjetër, Ambasadori i ri i BE-së në Kosovë, z. Avio Orav, u shpreh se është i gatshëm për të bashkëpunuar me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në përmbushjen e objektivave të saj. “Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë një partner strategjik për Kosovën dhe do të vazhdojë të jetë një mbështetës i fuqishëm për përpjekjet tuaja në drejtim të përmirësimit të situatës së komuniteteve dhe të kthyerve,” deklaroi Orav.