Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, sot në komunën e Graçanicës vendosi gurthemelin për ndërtimin e tetë shtëpive të reja, duke hapur një kapitull të ri për familjet të cilat prej vitesh presin shtëpinë e tyre të sigurt. Ky projekt i rëndësishëm jo vetëm që u siguron një çati mbi kokën e tyre, por gjithashtu rikthen besimin në një të ardhme më të mirë për ata që kanë më shumë nevojë për të.
“Kjo nuk është vetëm ndërtimi i shtëpive, por ndërtimi i shpresës, sigurisë dhe jetës dinjitoze për qytetarët tanë”, tha ministri Rashiq, duke theksuar se Ministria për Komunitete dhe Kthim do të vazhdojë të investojë në projekte të ngjashme.
Përfituesit shprehën faleminderimin e tyre të për ministrin dhe Ministrinë, duke theksuar se ky moment për ta do të thotë një fillim i ri dhe mundësi për një jetë dinjitoze. "Kjo është një ëndërr e realizuar! Faleminderit të gjithëve që na ndihmuan që më në fund të kemi shtëpinë tonë", tha një nga familjet.
Me këtë projekt, Ministria vazhdon misionin e saj për të ofruar mbështetje për më të cenuarit, dhe ngjarja e sotme simbolizon forcën e solidaritetit dhe përkushtimit për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.