Ministria për Komunitete dhe Kthim vazhdon mbështetjen për qytetarët dhe komunitetet përmes programit të përbashkët të bashkëfinancimit me Bashkimin Evropian, me qëllim të avancimit të mundësive ekonomike, mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe zhvillimit të iniciativave në komunitet.
Në kuadër të këtij programi, Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), si implementuese e programit, fton individët, grupet dhe shoqatat që të paraqesin idetë dhe projektet e tyre për mbështetje financiare dhe/ose teknike.
Mbështetja është e dedikuar për:
• fillimin e një biznesi të vogël;
• përmirësimin ose zgjerimin e veprimtarisë ekzistuese biznesore;
• zhvillimin e iniciativave në komunitet që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik, bashkëpunimin dhe zhvillimin e komunitetit lokal.
Inkurajohen veçanërisht të aplikojnë gratë, të rinjtë, të kthyerit, personat me nevoja të veçanta dhe pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.
Përparësi do të kenë idetë që mund të kontribuojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, vetëpunësimin, rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, si dhe ato që nxisin bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
Afati për aplikim është 30 shtator 2026. Aplikimet dorëzohen përmes emailit: iompristina@iom.int.
Për më shumë informata rreth programit vizitoni: https://kosovo.iom.int/news/call-applications-support-small-businesses-and-community-initiatives
Për informata shtesë, ndihmë në zhvillimin e idesë, hartimin e planit të biznesit ose plotësimin e formularit të aplikimit, qytetarët mund t’i drejtohen Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ku bashkëpunëtorët tanë profesionalë do t’u ofrojnë mbështetjen dhe informacionin e nevojshëm.
Për mbështetje në gjuhën shqipe dhe serbe mund të kontaktoni:
049 968 485
049 968 483
Shfrytëzojeni këtë mundësi për ta shndërruar idenë tuaj biznesore ose iniciativën në një projekt konkret dhe për të kontribuar në zhvillimin e familjes dhe komunitetit tuaj.

