Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ku kanë diskutuar mundësitë për avancimin e mbështetjes institucionale për komunitetet joshumicë dhe adresimin e çështjeve me rëndësi për jetën e tyre të përditshme.
Një nga temat e takimit ishte zbatimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, me theks të veçantë në zbatimin e strategjisë përkatëse dhe sfidat që shoqërojnë procesin e verifikimit të diplomave. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi nevojën për funksionim më efikas të institucioneve përgjegjëse dhe eliminimin e pengesave që vështirësojnë realizimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë.
Gjatë bisedës u theksua gjithashtu rëndësia e mundësive ekonomike për përmirësimin afatgjatë të kushteve të jetesës. Mundësitë më të mëdha për punësim, zhvillimi i bizneseve të vogla dhe nxitja e aktiviteteve ekonomike u vlerësuan si elemente të rëndësishme për forcimin e pavarësisë ekonomike dhe sigurisë së pjesëtarëve të komuniteteve.
Vëmendje iu kushtua edhe pozitës së personave të zhvendosur, veçanërisht sfidave me të cilat përballen ata që po shqyrtojnë mundësinë e kthimit në Kosovë. Krijimi i kushteve të përshtatshme për kthim, përfshirë sigurinë dhe mundësinë e qëndrimit afatgjatë, mbetet një çështje e rëndësishme në punën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Takimi ndërmjet Rašićit dhe Rudolphit shërbeu si mundësi për të diskutuar prioritetet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm. Përmirësimi i pozitës së komuniteteve joshumicë dhe mbështetja për personat e kthyer mbeten ndër fushat ku koordinimi institucional dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë kanë rëndësi të veçantë.