Në kuadër të programit të mbështetjes për prodhuesit bujqësorë, në komunën e Prizrenit iu dorëzua pajisje me vlerë dy përfituesve, Emir Shukit dhe Mustafa Hudatit, me qëllim përmirësimin e fermave të tyre dhe krijimin e kushteve më të mira për punë dhe prodhim.
Emir Shukit iu dorëzua pajisje për bletari, e cila do t’i mundësojë përmirësimin e prodhimit të mjaltit dhe zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë. Ndërsa Mustafa Hudatit iu nda komplet mekanizim bujqësor me pajisje shtesë, i dedikuar për kryerjen më efikase të punëve bujqësore dhe rritjen e produktivitetit të fermës së tij.
Falë kësaj mbështetjeje, të dy përfituesit do të kenë kushte më të mira për punë, organizim më të lehtë të prodhimit dhe mundësi më të mëdha për zhvillimin e ekonomive të tyre familjare.
Deputeti i Kuvendit, Nenad Rašić, theksoi se investimi në bujqësi paraqet investim në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e komuniteteve lokale.
„Qëllimi ynë është të ofrojmë mbështetje konkrete për njerëzit që me punën e tyre krijojnë vlerë dhe sigurojnë mirëqenien e familjeve të tyre. Çdo makineri, pajisje apo mjet i ri përfaqëson një hap drejt një prodhimi më të fuqishëm bujqësor dhe një të ardhmeje më të sigurt për ekonomitë tona familjare“, tha Rašić.
Ministria për Komunitete dhe Kthim vazhdon që, përmes programeve të saj të mbështetjes, të ndihmojë fermerët dhe ekonomitë familjare bujqësore, me fokus të veçantë në zhvillimin e zonave rurale, forcimin e prodhimit vendor dhe krijimin e kushteve të qëndrueshme për jetesë dhe punë.
Programi realizohet në bashkëpunim me GIZ-in dhe Asociacionin Humanitar „Nëna Terezë“.




