Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, u takua sot në kabinetin e tij me ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Gjatë takimit u diskutua për pozitën e komuniteteve joshumicë në Kosovë, sfidat me të cilat përballen pjesëtarët e tyre, si dhe për situatën aktuale politike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve me rëndësi për komunitetet joshumicë, përmirësimit të pozitës së tyre, mbrojtjes së të drejtave dhe krijimit të kushteve për jetë të sigurt dhe kthim të qëndrueshëm të personave të zhvendosur.
Bashkëbiseduesit diskutuan për zbatimin e Strategjisë së miratuar për Mbrojtjen e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre, si dhe për procesin e verifikimit të diplomave dhe sfidat e vështirësitë në punën e komisionit përgjegjës për këtë proces. Me këtë rast, u shkëmbyen mendime mbi rëndësinë e këtyre çështjeve për realizimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë dhe përmirësimin e pozitës së tyre.
Një pjesë e takimit iu kushtua edhe procesit të kthimit të personave të zhvendosur që shprehin dëshirën për t’u kthyer në Kosovë. Ministri Rašić theksoi se Ministria për Komunitete dhe Kthim do të angazhohet që, gjatë periudhës së ardhshme, në faqen e saj zyrtare të internetit të krijojë një seksion të veçantë për personat që dëshirojnë të kthehen, ku do të jenë të disponueshme të gjitha dokumentet, informacionet dhe udhëzimet e nevojshme për paraqitjen e kërkesave për kthim. Qëllimi i kësaj nisme është lehtësimi i qasjes në informacionet e nevojshme dhe thjeshtimi i procedurave administrative për personat e interesuar, në mënyrë që procesi i kthimit të jetë më i qasshëm, më i thjeshtë dhe më efikas.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se dialogu i vazhdueshëm është thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura, forcimin e besimit të ndërsjellë dhe avancimin e bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të të gjitha komuniteteve.
Ministria për Komunitete dhe Kthim vazhdon që, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të punojë për përmirësimin e pozitës së komuniteteve joshumicë, forcimin e besimit të ndërsjellë dhe ndërtimin e një shoqërie ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve.
