Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, sot në komunën e Graçanicës dorëzoi donacione në formën e pajisjeve bujqësore për familjet Bulatović, Mladenović dhe Simić, duke vazhduar aktivitetet e Ministrisë që synojnë forcimin e pozicionit ekonomik të familjeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes zhvillimit të fermave familjare.
Donacioni u realizua nga fondi i Ministrisë në bashkëpunim me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, ndërsa zbatimi teknik u krye nga GIZ dhe Shoqata Humanitare “Nëna Terezë”, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e kushteve më të qëndrueshme të jetesës për përdoruesit.
Duke iu drejtuar familjeve, Ministri Rašić theksoi se Ministria mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje konkrete për njerëzit që duan të qëndrojnë, të punojnë dhe të zhvillojnë komunitetet e tyre.
“Përgjegjësia jonë është të jemi partner për familjet që duan të qëndrojnë dhe të përmirësojnë prodhimin e tyre. Çdo mbështetje është një investim në një të ardhme më të sigurt dhe kushte më të mira jetese. Ne do të vazhdojmë të mbështesim projektet që sjellin rezultate afatgjata”, tha Ministri Rašić.
Familjet Bulatović, Mladenović dhe Simić falënderuan për mbështetjen, duke theksuar se pajisjet e marra do të kontribuojnë ndjeshëm në punën e tyre dhe në zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit.
Ministria për Komunitete dhe Kthim do të vazhdojë të zbatojë programe që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të familjeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të gjitha komuniteteve në Kosovë.



