Minić në Leposaviç Mbështetja e bujqësisë është një investim në mbijetesë dhe zhvillim

Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Ratomir Minić, ishte sot në Leposaviç, ku vizitoi familjet Milovanović, Spasojević dhe Stefanović dhe u dorëzoi atyre makineri bujqësore, të destinuara për të përmirësuar aktivitetet e tyre bujqësore.

Gjatë vizitës, Minić bisedoi me mikpritësit rreth sfidave me të cilat përballen dhe mundësive për përmirësimin e punës së fermave familjare. Ai theksoi se Ministria për Komunitete dhe Kthim vazhdon të ofrojë mbështetje për familjet përmes programeve që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale.

“Të qëndrosh në terren dhe të flasësh me njerëzit është mënyra më e mirë për të parë nevojat e tyre reale. Pikërisht për këtë arsye ne përpiqemi ta drejtojmë mbështetjen aty ku do të ketë efektin më të madh. Investimi në bujqësi nuk është vetëm ndihmë për familjet individuale, por një investim në mbijetesën, zhvillimin dhe cilësinë më të mirë të jetës së komuniteteve lokale”, tha Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim Ratomir Minić.

Makineria bujqësore u nda në kuadër të programit të zbatuar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në bashkëpunim me GIZ-in dhe Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë”, me qëllim përmirësimin e prodhimit bujqësor dhe forcimin e pozitës ekonomike të familjeve në Kosovë.

Ministria për Komunitete dhe Kthim thekson se do të vazhdojë të zbatojë programe të ngjashme edhe në periudhën në vijim, përmes të cilave do të ofrojë mbështetje për familjet dhe komunitetet lokale, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për mbijetesë të qëndrueshme të popullsisë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors