Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, vizitoi sot disa familje në komunën e Shtërpcës, të cilat, në kuadër të programit të mbështetjes së Ministrisë, kanë përfituar mekanizëm bujqësor. Familjet Popović, Ivković dhe Popović theksuan se pajisjet e reja do t’ua lehtësojnë ndjeshëm punën e përditshme dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e ekonomive të tyre bujqësore.
Gjatë bisedës me familjet, ministri Rašić theksoi se investimi në familjet që jetojnë nga puna e tyre është një nga prioritetet e Ministrisë.
“Çdo mbështetje që mbetet në duart e bujqve të zellshëm do të thotë më shumë siguri për familjet e tyre dhe më shumë mundësi që të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Qëllimi ynë është që ndihma të arrijë tek njerëzit që kanë vërtet nevojë për të dhe të shërbejë si nxitje për zhvillim të mëtejshëm”, tha Rašić.
Programi për ndarjen e mekanizmit bujqësor po zbatohet në bashkëpunim me GIZ-in dhe Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza”, si pjesë e aktiviteteve të orientuara drejt përmirësimit të prodhimit bujqësor dhe forcimit të pozitës ekonomike të familjeve.
Vizitat tek përfituesit dhe shpërndarja e ndihmës do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim që sa më shumë familje të kenë mundësi të përmirësojnë prodhimin e tyre bujqësor dhe të sigurojnë kushte më të qëndrueshme për jetesë dhe punë.
Ministria për Komunitete dhe Kthim do të vazhdojë, në bashkëpunim me partnerët e saj, të realizojë programe që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të familjeve, zhvillimin e ekonomive bujqësore të qëndrueshme dhe krijimin e kushteve më të mira për qëndrimin dhe mbijetesën e banorëve në vendbanimet e tyre.
Përmes projekteve të tilla, Ministria konfirmon përkushtimin e saj për të ofruar mbështetje konkrete për qytetarët, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës, forcimin e komuniteteve lokale dhe krijimin e kushteve të qëndrueshme për zhvillimin e bujqësisë në mbarë Kosovën.



