Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit vazhdoi me zbatimin e programit për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë dhe fuqizimin ekonomik të komuniteteve dhe këtë herë ndihma iu dorëzua përfituesve në Prizren. Në bashkëpunim me partnerët e zbatimit GIZ dhe Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë”, familjeve Aslani dhe Osmani, të cilat janë angazhuar me sukses në prodhimin bujqësor dhe zhvillimin e fermave të tyre familjare, iu shpërndanë makineri bujqësore.
Gjatë prezantimit të mbështetjes, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, theksoi se ishte veçanërisht i kënaqur nga fakti që këtë herë përfitueset e programit janë gratë, puna, përkushtimi dhe këmbëngulja e të cilave përfaqësojnë një shtyllë të rëndësishme të familjes dhe komunitetit lokal.
“Është një nder i madh për mua që sot po u japim mbështetje grave që kontribuojnë në zhvillimin e familjeve të tyre përmes punës dhe angazhimit të tyre. Përkushtimi, përgjegjësia dhe forca e tyre meritojnë respekt dhe vëmendje të veçantë nga shoqëria jonë. Duke investuar te gratë që merren me bujqësi, ne po investojmë në një të ardhme më të sigurt për familjet e tyre, por edhe në zhvillimin e komuniteteve lokale. Ministria për Komunitete dhe Kthim do të vazhdojë të ofrojë mbështetje konkrete për të gjithë ata që duan ta përmirësojnë prodhimin e tyre dhe të sigurojnë një ekzistencë të qëndrueshme nga puna e tyre”, tha Ministri Rašić.
Ministria për Komunitete dhe Kthim do të vazhdojë në periudhën e ardhshme me zbatimin e programeve mbështetëse në të gjithë Kosovën, me qëllim përmirësimin e prodhimit bujqësor, forcimin e fermave familjare dhe fuqizimin ekonomik të të gjitha komuniteteve. Theks i veçantë do t’i kushtohet fuqizimit të grave në zonat rurale, duke njohur kontributin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin e familjes, bujqësisë dhe shoqërisë në tërësi.






