Ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rašić i dorëzoi çelësat e shtëpisë së re familjes së kthyer Kovačević nga fshati Dobrush, në komunën e Istogut.
Familja e Nihat Kovačevićit, e cila jetonte e zhvendosur që nga viti 1999, u kthye në vendin e tyre të lindjes pas më shumë se dy dekadash, me dëshirën për të ndërtuar një jetë më të sigurt dhe më të qëndrueshme për familjen e tyre. Falë mbështetjes së programit IOM / EU-RRK VI, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Komunës së Istogut, rindërtimi i shtëpisë së tyre familjare prej 75m² u zbatua me sukses.
Shtëpia e re është e pajisur me mobilje dhe teknikë të bardhë dhe familja gjithashtu mori pako shtesë ndihme me ushqime dhe artikuj elementar shtëpiakë.
Ministri Rašić tha se qëllimi i institucioneve është t’u ofrojë familjeve të kthyera kushte dinjitoze jetese dhe një qëndrim të qëndrueshëm në komunitetet e tyre. Në periudhën e ardhshme, familja Kovačević do të marrë gjithashtu mbështetje për hapjen e punëtorisë për riparimin e makinave, e cila do të kontribuojë në stabilitetin e tyre ekonomik dhe një të ardhme më të sigurt.



