Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, u takua sot me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, në ambientet e Ministrisë, ku diskutuan situatën aktuale politike, si dhe çështje me rëndësi për komunitetet dhe të kthyerit.
Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua ligjeve që lidhen me të huajt, si dhe zbatimit të tyre në kontekstin e rrethanave aktuale socio-politike. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi sfidat dhe mundësitë për të përmirësuar kornizën ligjore në këtë fushë.
Ministri Rašić e prezantoi Ambasadorin Blaj me punën e Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, duke theksuar aktivitetet që synojnë përmirësimin e pozitës së komuniteteve jo-shumicë dhe mbështetjen e kthimit të qëndrueshëm të personave të zhvendosur. U theksua gjithashtu rëndësia e mbështetjes institucionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me qëllim forcimin e integrimit dhe stabilitetit.
Ambasadori Blaj shprehu interesin e tij për monitorimin e mëtejshëm të procesit dhe ofrimin e mbështetjes për iniciativat që kontribuojnë në përmirësimin e pozicionit të komuniteteve.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se dialogu i vazhdueshëm është çelësi për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

