Në komunën e Graçanicës, sot u vendosën gurthemelet për ndërtimin e shtëpive për dy familje, atë të Milan Marinkoviqit nga fshati Dobrotin dhe të Jelena Miljkoviqit nga Graçanica, në kuadër të projektit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, i cili synon mbështetjen e personave të riatdhesuar dhe familjeve që kanë më së shumti nevojë për ndihmë në fushën e banimit.
Gurthemelet i vendosi shefi i Kabinetit të ministrit, Igor Rašić, i cili me këtë rast theksoi se Ministria ofron me kënaqësi mbështetje për familjet për të cilat një shtëpi e re është më se e nevojshme, duke nënvizuar se Ministria do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme të bëjë përpjekje për të ndihmuar familjet më të rrezikuara dhe për t’u siguruar atyre kushte më të mira dhe më dinjitoze për jetesë.
„Çdo familje që fiton mundësinë për një shtëpi të re është një arsye për gëzim dhe një dëshmi se puna jonë ka kuptim. Detyrimi ynë është të jemi pranë atyre që kanë më së shumti nevojë për ndihmë. Do të vazhdojmë të angazhohemi për çdo familje, sepse shtëpia nënkupton siguri, stabilitet dhe shpresë të re për të ardhmen“, theksoi Rašić.
Përfituesit e ndihmës, Milan Marinkoviq dhe Jelena Miljkoviq, shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për mbështetjen e ofruar, duke theksuar rëndësinë që ka kjo ndihmë për ta dhe kontributin që ndërtimi i shtëpive të reja do të ketë në sigurimin e një jete më të sigurt për familjet e tyre.
Ministria për Komunitete dhe Kthim do të vazhdojë të zbatojë aktivitete që synojnë mbështetjen e personave të riatdhesuar dhe të të gjitha familjeve që kanë nevojë për ndihmë, me qëllim që secili të ketë mundësinë për një shtëpi të sigurt dhe një jetë dinjitoze.

