Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, u takua me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin diskutoi mundësitë për avancimin e pozitës së komuniteteve joshumicë, mbrojtjen më efikase të të drejtave të tyre dhe intensifikimin e bashkëpunimit për zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për pjesëtarët e këtyre komuniteteve.
Gjatë bisedës, vëmendje e veçantë iu kushtua mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, si dhe sfidave që ndikojnë në realizimin e përditshëm të këtyre të drejtave. Ministri Rašić theksoi rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të dokumenteve strategjike dhe forcimit të koordinimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim që mbështetja për komunitetet të jetë më konkrete dhe më e qasshme për qytetarët.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe lidhur me procesin e kthimit të personave të zhvendosur, duke theksuar nevojën për krijimin e kushteve që mundësojnë kthimin në një mjedis të sigurt, si dhe ofrimin e mbështetjes së duhur institucionale. U diskutua gjithashtu për rëndësinë e tejkalimit të pengesave administrative, informimit më të mirë të familjeve të interesuara dhe krijimit të kushteve për integrimin e tyre afatgjatë dhe qëndrimin në vendet e kthimit.
Takimi shërbeu si mundësi për të shqyrtuar mundësitë e zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen ndërmjet Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Ambasadës së Italisë, me synimin që bashkëpunimi ekzistues të thellohet më tej dhe të orientohet drejt nevojave të qytetarëve. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e dialogut të vazhdueshëm dhe shkëmbimit të përvojave në fushat e mbrojtjes së të drejtave, përfshirjes sociale dhe mbështetjes për komunitetet.
Ministria për Komunitete dhe Kthim mbetet e përkushtuar në avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe krijimin e kushteve të qëndrueshme për kthimin e personave të zhvendosur, duke vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
