Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, u takua me ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, me të cilin bisedoi për çështje me rëndësi për komunitetet joshumicë, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe avancimin e bashkëpunimit institucional.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për sfidat me të cilat përballen pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, zbatimin e Strategjisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre, si dhe për procesin e verifikimit të diplomave dhe vështirësitë në punën e komisionit kompetent.
Një nga temat e diskutimit ishte edhe mundësia e avancimit të procesit të kthimit të personave të zhvendosur, me theks të veçantë në krijimin e kushteve për kthimin e tyre të sigurt dhe të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e thjeshtimit të procedurave administrative dhe sigurimit të informacionit në kohë dhe të qasshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të realizojnë të drejtën e tyre për kthim.
Takimi ishte gjithashtu një mundësi për të shqyrtuar mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Ambasadës së Francës, veçanërisht në fushën e avancimit të të drejtave të komuniteteve dhe trajtimit të çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në pozitën e tyre.
Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, Ministria për Komunitete dhe Kthim vazhdon të monitorojë dhe të zbatojë në mënyrë të vazhdueshme standardet evropiane dhe praktikat e mira në punën e saj, me qëllim të avancimit të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë, forcimit të kapaciteteve institucionale, ndërtimit të besimit të ndërsjellë dhe krijimit të kushteve për kthimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të personave të zhvendosur.

